Haradinaj: Mafia energjetike mori nga Kurti mbi 365 milionë euro për dy vjet

Haradinaj: Mafia energjetike mori nga Kurti mbi 365 milionë euro për dy vjet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë Kurti për punën e gjendjes me energjinë elektrike në vend.

Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti e ka detyruar Kompaninë Amerikane të tërhiqej nga Kosova C sepse iu duk çmimi prej 80 euro tepër i lartë.

“E anuluan projektin Amerikan të gazit. E detyruan Kompaninë Amerikane të tërhiqej nga Kosova C sepse iu duk çmimi prej 80 euro tepër i lartë. U mbështetën tek mafia energjetike e rajonit që dihet se nga kush udhëhiqet dhe paguajtën veç për dy vjet (2022 dhe 2023), hiç më pak se 365,706,835.9 euro  para të Kosovës. Në krahasim me dy vitet 2018 dhe 2019 kjo është afër 4.5 herë më shumë apo 282 euro milionë më shumë nga koha sa kemi importuar në kohën kur unë isha Kryeministër. Me të vërtetë tronditëse e dhëna se për dy vjet mesatarja e pagesës ditore për mafinë energjetike është hiç më pak se 500.000 euro në ditë. Këto janë të dhëna nga raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike të Kosovës, për vitin 2023”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Më tutje, Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti i ka shërbyer mafisë energjetike.

“Më shanë e më fyen sepse deshta që Kosova C të prodhonte rrymë me çmim prej 83 euro. E morën pushtetin dhe blejtën rrymë në vitin 2022 me çmim mesatar prej 268.82 euro dhe në vitin 2023 prej 129 euro. I shërbyen jo shtetit të Kosovës dhe popullit të saj, por mafisë energjetike. Figurat kryesore të LV-së po i heton Prokuroria dhe do të hetojë dhe gjejë gjithçka, por një dihet; se ky është krim që i është bërë këtij vendi dhe askush nuk duhet të shkojë në përgjegjësi para kryeministrit aktual të Kosovës. Krenohej nga foltorja e Parlamentit ‘se ka ç’montuar Contour Globalin’, po del se ka dashtë ta ç’montojë popullin e vet”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Share This