Kryeministri e nis “zbehtë” vizitën në SHBA, asnjë takim me zyrtarë të administratës amerikane

Kryeministri e nis “zbehtë” vizitën në SHBA, asnjë takim me zyrtarë të administratës amerikane

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sot ka qenë dita e parë e vizitës, gjatë së cilës ka zhvilluar disa takime, por asnjëra me ndonjë zyrtarë të administratës amerikane.

Takimin e parë në kuadër të kësaj vizite, Kurti e ka pasur me Kryeministrin e Lihtenshtajnit.

“Principata e Lihtenshtajnit e ka mbështetur vazhdimisht republikën tonë në proceset integruese, për çka i jemi mirënjohës. Me vullnetin e dyanshëm për raporte dhe partneritet sa më të fortë bilateral, bashkë diskutuam se si mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare”, ka shkruar Kurti.

Më pas është takuar me Kryeministrin e Islandës, teksa ka bërë me dije se me këto dy shtete po zhvillojnë diskutime për të arritur marrëveshje për tregti të mirë me shtetet anëtare të EFTA’s.

Këto takime janë zhvilluar në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Neë York. Aty Kurti ka pritur edhe

Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

“Diskutuam për performacën ekonomike të vendit gjatë qeverisjes sonë, për zbatimin e programeve që kemi me FMN-në dhe për bashkëpunimin në përmbushjen e agjendës së reformave ekonomike, realizimin e investimeve në infrastrukturë dhe energji, përmirësimin e klimës së investimeve dhe avancimin e mjedisit për të bërë biznes. Ajo na uroi për rezultatet dhe suksesin e arritur në qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e borxhit publik, për çka theksoi se Kosova jonë mund të shërbejë si shembull dhe për vendet tjera”, ka njoftuar Kurti.

Pas këtyre takimeve, në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka marrë pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, që kryesohej nga Presidenti i saj, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

“Aty theksova se përballë sfidave kryesore të kohës sonë, vlerat socialdemokrate, të rrënjosura në solidaritet, barazi dhe prosperitet të përbashkët janë më relevante se asnjëherë më pare”, ka shkruar tutje Kurti.

“Takimet vazhdojnë”, e ka përmbyllur Kurti./Reporteri

Share This