Deputeti i kantonit Jura në Zvicër thotë se Thaçi po mbahet në Hagë si në praktikat e një regjimi totalitar
Raoul Jaeggi, deputet i kantonit Jura në Zvicër ka reaguar në “Facebook” rreth Gjykatës Speciale, e veçanërisht për paraburgimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Procesi i tejzgjatur gjyqësor kundër ish-presidentit Thaçi konsiderohet si regjim totalitar dhe antidemokratik nga deputeti i kantonit Jura, Raoul Jeaggi, i cili është pjese e legjislativit kantonal nga viti 2009.
“Hashim Thaçi është paraburgosur për gati katër vjet në kushte që të kujtojnë praktikat e një regjimi totalitar, ku drejtësia preventive zvarritet pafundësisht, duke shkelur parimet themelore të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Jaeggi, raporton “Epoka e re”.
Sipas tij, ky paraburgim i zgjatur pa dënim përfundimtar jo vetëm që është i padrejtë, por ai minon vetë vlerat e demokracisë dhe respektimin e të drejtave individuale.
“Është për t’u habitur se, ndryshe nga ata që kërkojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, Hashim Thaçi dha dorëheqjen si president i Kosovës për t’u përballur me akuzat ndaj tij. Kjo sjellje është e kundërta me atë të autorëve tipikë, të cilët përdorin fuqinë e tyre për të shmangur përgjegjësinë. Thaçi zgjodhi të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë, një gjest i rrallë dhe i guximshëm”, ka shkruar Raoul Jeaggi, deputet kantonal në Jura që nga viti 2009.
Ai ka shtuar tutje se: “Nëse Thaçi ka qenë fajtor për krimet për të cilat akuzohet, është për t’u habitur që ai nuk ka adoptuar strategjinë e ikjes dhe vetëmbrojtjes që kanë zgjedhur shumë liderë të tjerë të akuzuar për krime të rënda. Në vend të kësaj, ai vullnetarisht iu dorëzua drejtësisë ndërkombëtare, një provë tjetër e dëshirës së tij për të demonstruar pafajësinë e tij. Një sjellje e tillë meriton të njihet dhe ngre pyetje në lidhje me legjitimitetin e paraburgimit preventiv kaq të gjatë”, ka shkruar Jeaggi.