Borrelli në Nju Jork pret në drekë pune liderët e Ballkanit Perëndimor
Komisioni Evropian ka njoftuar se shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të mërkurën do të presë në një drekë pune liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork.
“Të mërkurën, Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të presë gjashtë liderët nga Ballkani Perëndimor për një drekë tradicionale pune”, njofton Komisioni Evropian.
Sesioni i OKB-së në Nju Jork, sipas njoftimit të KE-së, do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të BE-së, duke përfshirë Borrellin dhe presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen. “Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën”, thuhet tutje në njoftim.
“Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, njofton Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian bën me dije se së bashku, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë kontribuesi i vetëm financiar më i madh në sistemin e OKB-së, duke siguruar pothuajse një të katërtën e buxhetit të rregullt të OKB-së, raporton rtk.