
KFOR, EULEX dhe Policia e Kosovës zhvillojnë stërvitjen e përbashkët “Shpata e Artë 2025”
Ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë marrë pjesë në një stërvitje të përbashkët me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Policinë e Kosovës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.
Stërvitja, e quajtur “Shpata e Artë 2025”, është konfirmuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM). Sipas njoftimit zyrtar, ushtrimi është fokusuar në ndërtimin e punës ekipore, koordinimin dhe reagimin e përbashkët në situata të ndryshme sigurie.
EUCOM ka bërë të ditur se ushtarë shumëkombësh të KFOR-it janë trajnuar së bashku me përfaqësues të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, me synimin për të rritur gatishmërinë dhe aftësinë për të kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe stabil në Kosovë.
“Siguria përmes punës ekipore – ushtarë shumëkombësh të KFOR-it u trajnuan me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës gjatë ushtrimit ‘Golden Sabre 2025’, duke rritur gatishmërinë për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e EUCOM.

