Gjenerali amerikan në Tiranë, takohet me Begajn

Gjenerali amerikan në Tiranë, takohet me Begajn

Komandanti ushtarak i NATO-s, gjeneral Christopher Cavoli ndodhet në një vizitë Shqipëri, ku është takuar me presidentin Bajram Begaj. Në bisedën me gjeneralin Cavoli, kreu i shtetit vlerësoi ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s.

Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Begaj theksoi ambiciet e Shqipërisë për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes, nismat dhe investimet e ndërmarra, si edhe ofrimin e Porto Romanos si bazë e NATO-s.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe e vlerësoj shumë rolin që luan Komanda Evropiane e SHBA-së në nxitjen e bashkëpunimit tonë dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, u shpreh Begaj.

Gjatë takimit u bisedua edhe për forcimin e partneritetit strategjik, në një kohë, të cilën presidenti Begaj e konsideroi si “të paprecedentë për sigurinë”,  duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Këto konflikte kanë ndikimin e tyre negativ edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, u shpreh presidenti Begaj.

Po ashtu, Begaj i shprehu mirënjohjen gjeneralit për punën e kryer nga KFOR-i në Kosovë, duke shprehur njëherazi mbështetje ndaj këtij misioni për sigurinë në Kosovë dhe rolin si garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Gjenerali Cavoli ka zhvilluar  po ashtu edhe një takim me të ngarkuarën me punë të SHBA në vendin tonë Nensi (Nancy) VanHorn. Ai do marrë pjesë në Konferencën e 27 të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut.

“Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Forcave Supreme Aleate për Europën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli, po viziton Tiranën për të marrë pjesë në Konferencën e 27 të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut, si dhe për t’u takuar me udhëheqës shqiptarë, përfshirë Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama. E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn mirëpriti gjeneralin Cavoli në ambasadë, ku u takua me pjesëtarët e Detashmentit të Gardës së Marinsave të ambasadës për t’i falënderuar për shërbimin e tyre. Vizita përforcon aleancën dhe partneritetin e fortë mes vendeve tona në fushën e mbrojtjes, përfshirë ushtarët amerikanë dhe shqiptarë që trajnohen krah për krah”, shkruan ambasada në rrjetin social Facebook.

Gjenerali Cavoli pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama. /atsh

Share This