Starmer: NATO duhet ta vendosë Ukrainën në pozitën më të mirë të mundshme
Vendet e NATO-s duhet të vendosin Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm, tha sot kryeministri britanik Keir Starmer kur u pyet për dhënien e lejes së Kievit për të përdorur raketat “Storm Shadow” në Rusi.
Kryeministri u takua të premten me presidentin e SHBA-se, Joe Biden në Uashington për bisedime lidhur me dhënien e lejes së Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë për të shënjestruar aeroportet dhe bazat ushtarake ruse, por asnjë vendim nuk u mor.
Vitin e kaluar, Britania e Madhe i dhuroi Ukrainës raketa “Storm Shadow”, por armët qëndrojnë jashtë kufijve të Ukrainës, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Kievi.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren italiane Georgia Meloni, në Romë – Starmer u pyet lidhur me deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin – gjatë të cilës ai tha se lejimi i armëve me rreze të gjatë – nënkuptonte se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane ishin në luftë me Rusinë.
“Unë mendoj se është e rëndësishme për ne – të fillojmë nga pozicioni themelor, që është se kjo është një luftë e paligjshme e nisur nga Rusia dhe, si rezultat, Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje, dhe të gjithë – Italia, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë, aleatët e NATO-s në veçanti – kanë mbështetur Ukrainën”, tha Starmer në Romë.
“Është një luftë kundër vlerave të demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës, të cilat vlejnë për të gjithë ne – në vendet tona përkatëse dhe për të gjithë aleatët”, shtoi ai.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme – si çështje parimore – që ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm dhe kjo është ajo që kemi diskutuar. Sot kemi pasur rastin ta trajtojmë këtë”, tha ai. /ATSH/