Rama: Muralja e bukur në Tiranë, ku po përjetësohet këngëtarja e madhe shqiptare Vaçe Zela

Rama: Muralja e bukur në Tiranë, ku po përjetësohet këngëtarja e madhe shqiptare Vaçe Zela

Një murale e veçantë po krijohet në godinën e Radio Televizionit Shqiptar në kujtim të këngëtares së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë më 6 shkurt 2014.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna për krijimin e murales nga artisti Maximiliano Debasko.

“Muralja e bukur në Tiranë, ku po përjetësohet kengëtarja e madhe shqiptare Vaçe Zela”, shkruan Rama.

Artisti me famë ndërkombëtare, Maximiliano Debasko ka realizuar në Tiranë edhe muralen e shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa një vit më parë pikturoi portretin e yllit të futbollit ndërkombëtar, Lionel Messi.

Iniciativa për këtë murale vjen në kuadër të “Mural Fest Tirana”, një projekt nën drejtimin e artistit të njohur Helidon Haliti.

Haliti tha për mediet se ideja për të përjetësuar Vaçe Zelën në këtë mënyrë lindi nga dëshira për të nderuar një nga ikonat më të mëdha të kulturës shqiptare, që la një gjurmë të pashlyeshme në muzikën e vendit.

Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut nga “Artistja e Popullit” Vaçe Zela janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj.

Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj. /atsh/

Share This