Daut Haradinaj: Veprimet e Kurtit në veri, po ia sjellin Kosovës dy gjëra të dëmshme
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po “e mbanë gjallë lanin patriotik” për të fituar vota, përmes ndërhyrjeve policore në veri të vendit.
Sipas tij, këto veprime të Qeverisë së Kurti janë duke ia sjell Kosovës dy gjëra të dëmshme për të ardhmen e saj.
Ai ka theksuar se ndërhyrjet policore mund t’i japin Serbisë argumente shtesë për të kërkuar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe me më shumë kompetenca ose një formë të autonomisë së zgjeruar, duke krijuar një opinion ndërkombëtar që paraqet Kosovën si një vend që mbështetet vetëm në forcat e sigurisë për të menaxhuar situatën në veri.
“E vetmja rrugë për më e mbajt gjallë atë lanin patriotik janë ndërhyrjet policore në pjesën veriore. E që prapë e përsëri që jemi pro zbatimit të ligjit, institucionet e sigurisë duhet me krye detyrën e vetit por jo me bë politike skajshëm me pjesën e veriut. Unë mendoj që janë dy gjëra që kanë me i ndodhë Kosovës; e para jemi duke i dhënë argumente shtesë Serbisë që me kriju opinion ndërkombëtarë për një Asociacion plus ose autonomi plus sepse po i thonë botës që këta vetëm me autoblinda e kallashnikovë se sa mënyrë tjetër të jetës. Dhe e dyta po e izolojmë vetën dhe po e bëjmë partner jo serioz në atë rrugën e famshme euroatlantike. Të dyja këto janë të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.