Lajm i keq për Realin, Ceballos dy muaj jashtë fushës së blertë
Real Madridi dhe fansat e kësaj skuadre kanë marrë një tjetër lajm të keq.
Trajneri i ‘Los Blancos’ Carlo Ancelotti për dy muaj nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Dani Ceballos.
Lojtari dje u lëndua në duel me Real Betisin, dhe sipas medieve iberike, Ceballos do të qëndrojë larg fushës së blertë për rreth dy muaj.
Mesfushori spanjoll nisi si titullar ndeshjen e mbrëmshme kundër Betisit, të cilën Reali e fitoi 2-0, falë dy golave të shënuar nga Mbappe.
Ceballos u zëvendësua nga Ancelotti në minutën e 65-të pas një lëndimi që pësoi.
Klubi madrilen përmes një njoftimi, ka konfirmuar se Ceballos do të qëndrojë për dy muaj jashtë fushës së blertë.
“Pas analizave të bëra sot nga stafi mjekësor lojtarit tonë Dani Ceballos, ai është diagnostikuar me ndrydhje të shkallës 3 me dëmtim të ligamentit në kyçin e këmbës së djathtë. Ecuria e tij do të monitorohet”, thuhet në njoftimin zyrtar të Real Madridit.
Ceballos do të humbasë edhe ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve dhe pritet të kthehet në dispozicion të skuadrës në nëntor.