Të paktën 50 palestinezë të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës
Të paktën 50 palestinezë u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoritetit shëndetësor të Gazës, i cili kontrollohet nga grupi islamik palestinez Hamas.
Më herët, agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi të paktën 11 të vdekur civilë dhe një numër të paspecifikuar njerëzish të plagosur në qytetin jugor Khan Yunis dhe në zonën Nuseirat në Gazën qendrore.
Raportet vijnë ndërsa përpjekjet për një armëpushim vazhdojnë në Kajro
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se nuk mund të bënin asnjë koment pa e ditur saktësisht se ku kishin vdekur njerëzit.
Që nga fillimi i luftës aktuale, pas sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit të nisura nga anëtarët islamikë palestinezë të Hamasit me qendër në Gazë, IDF ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja për operacionet e tij.
IDF gjithashtu raportoi për vazhdimin e luftimeve në jug, qendër dhe veri të Gazës.
Të premten, IDF u bëri thirrje banorëve të qytetit të Gazës në veri të evakuohen në perëndim drejt detit pasi territori izraelit ishte nën sulm. .
Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, më shumë se 40 000 njerëz janë vrarë në Gazë që nga fillimi i luftës dhe më shumë se 90 000 janë plagosur. Shifrat e ministrisë nuk bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve.
IDF pretendon se ka vrarë të paktën 14 000 luftëtarë palestinezë. /atsh/