Kurti takohet me senatorin Murphy, bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me senatorin Chris Murphy, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike.
Së pari, duke theksuar marrëdhëniet e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti ka shprehur interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët tanë amerikanë.
Më tutje, ata kanë biseduar edhe rreth zhvillimeve në vend, situatën e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe momentin e rëndësishëm në politikën amerikane në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të 5 nëntorit.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti ka theksuar përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të marrëveshjes bazike dhe aneksit implementues të Ohrit. Ai ka theksuar se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes.
Kryeministri Kurti ka nënvizuar se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Ana Brnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë.
“Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj. Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës”, citohet të këtë thënë Kurti, duke kërkuar nga ShBA-ja të bëjë trysni mbi Beogradin zyrtar.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar senatorin Murphy për takimin dhe bisedën, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të tij ndaj Kosovës.