Kurti nderoi me homazhe dëshmorin Cenë Dugolli dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Fazli Greiçevci
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varri i dëshmorit Cenë Dugolli dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Fazli Greiçevci.
I shoqëruar nga deputetët Enver Dugolli, Avni Dehari, Hydajet Hyseni e Valon Ramadani, e familjarë dhe miq të Cenë Dugollit, ai vendosi lule të freskëta te varri i dëshmorit Dugolli te varrezat e dëshmorëve në Ferizaj, në përkujtim të 26-vjetorit e vrasjes së tij nën tortura çnjerëzore të forcave policore serbe në burgun e Prishtinës.
Nga aty, kryeministri u nis për në Sankoc të Drenasit, ku së bashku me deputetin Enver Dugolli, deputetin tjetër të Kuvendit Adnan Rrustemi, familjarë e miq të familjes Greiçevci, si dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bënë homazhe te varri i veprimtarit dhe atdhetarit Fazli Greiçevci, që po ashtu u mbyt nga torturat vdekjeprurëse në burgun e Prishtinës me 17 gusht 1964.