Çitaku: Rruga e Kurtit çon në izolim, kemi mbetur pa asnjë mik
Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për FRONTAL në T7 ka thënë se rruga që ka zgjedhur kryeministri sa i përket Veriut dhe raporteve me aleatët çon në izolim dhe qorrsokak, shkruan Gazeta Express.
“ Rruga që ka zgjedhur Kurti çon në izolim dhe çon në qorrsokak”, ka thënë Çitaku.
Ajo thotë se nuk guxon të normalizohet diskursi që eksponentë të Vetëvendosjes përdorin kundër ambasadorit amerikan e zyrtarëve të tjerë amerikanë.
“Nuk guxojmë ta normalizojmë këtë lloj diskursi. Kemi parë eksponentë të lartë të VV-së që i janë vërsulur ambasadorit amerikan dhe zyrtarëve të lartë të Departamentit Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë”, ka shtuar ajo.
Zyrtarja e PDK-së ka thënë se koordinimi me SHBA-në s’është nënshtrim por fuqi.
“S’është koordinimi me SHBA-të nënshtrim, është forcë, fuqi”, shprehet ajo.
“Lëvizje që prodhojnë efekt të përkohshëm elektroal. Në kuptim më afatgjatë në rrugëtimin tonë drejt familjes euro-atlantike, këto veprime sjellin pasoja afatgjate. S’guxojmë ta rrezikojëm të ardhmen euro-atlantike për një grusht vota”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka deklaruar se Kosova ka mbetur pa asnjë mik shkaku i veprimeve të Kurtit, duke rikujtuar edhe deklaratën e presidentit kroat, Zoran Millanoviq.