Biden: Irani do të tërhiqet nga tensionet në LM
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se shpreson që Irani të tërhiqet mes tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Shpresoj që po. Nuk e di”, i tha Biden një gazetari kur e pyeti “a do të tërhiqet Irani” derisa po dilte nga një dyqan ushqimor në shtetin e tij të lindjes Dalaware.
Të premten, Pentagoni njoftoi se SHBA-ja do të vendosë mjete shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme në mes të tensioneve në rritje në rajon.
Nga atje theksuan se Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të ndërmarrë hapa për të zbutur “mundësinë e përshkallëzimit rajonal nga Irani ose partnerët e Iranit”.
“Sekretari (Lloyd) Austin ka urdhëruar rregullime në pozicionin e ushtrisë amerikane, të dizajnuara për të përmirësuar mbrojtjen e forcave amerikane, për të rritur mbështetjen për mbrojtjen e Izraelit dhe për të siguruar që SHBA-ja është e përgatitur për t’iu përgjigjur situatave të ndryshme”, tha Pentagoni.
Të paktën 39.550 palestinezë janë vrarë në pothuajse 10 muaj që kur Izraeli nisi një sulm brutal kundër Rripit të Gazës që filloi më 7 tetor, pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.
Sulmi ka shkaktuar një rritje të tensioneve rajonale, me përshkallëzimin e fundit në fillim të javës kur lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra gjatë një vizite në Iran.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, thuhet se urdhëroi një sulm ndaj Izraelit si hakmarrje për vrasjen e Haniyeh-it.