“S’bëhem pjesë e këtij cirku shtetëror”, Mustafa për krisjen e raporteve Osmani-Gërvalla
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka dashur të flas për prishjen e raporteve mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës.
“Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtij cirku shtetëror”, tha shkurtimisht Mustafa për Albanian Post, kur u pyet për këtë çështje.
Ishte Gërvalla që e filloi serinë e “kunjave” me Osmanin, të martën, për të marrë përgjigje edhe më brutale vetëm një ditë nga ish-kryetarja e saj.
Në një organizim në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për nder të mërgimtarëve, Gërvalla derisa përmendi emrin e presidentes, tha se kënga “llafe llafe” e Dafina Zeqirit është kënga e Osmanit.
Përderisa thumboi Osmanin, ajo, kryeministrin Albin Kurti e quajti “super-star”.
“Para se të kalojë te këngëtari i ardhshëm, pasi këndoi Dafina, këndoi këngën e presidentes ‘llafe, llafe’”, ka thënë Gërvalla të martën.
Por, përgjigjen e drejtpërdrejtë, përmes po të njëjtës këngëtare, Gërvalla do ta merrte vetëm një ditë më pas, të mërkurën.
Këtë e bëri në një konferencë për media, pas takimit që pati me krerët e partive politike, ku u diskutua për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Me ‘t’kast”, ishte kënga e Dafina Zeqirit, e cila është publikuar së fundmi në bashkëpunim me rap-artistin Mozzik, që është një përpunim i këngës së këngëtares Gili, që Osmani iu përgjigj kryediplomates.
Ajo edhe i citoi disa pjesë të këngës së Zeqirit si “mjeshtër i gabimeve” e “përsëritës i gabimeve”, duke ia atribuuar drejtpërdrejtë Gërvallës, duke e përshkruar atë si një “mashtruese”.
“Nëse doni me vazhdu pak me këngë të Dafinës, e ka një të re ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Përndryshe, Dafina një përkrahëse e fuqizimit të gruas dhe kauzës së barazisë gjinore”, deklaroi presidentja.
Por, deri më tani as Osmani dhe as Gërvalla nuk kanë treguar arsyet e kësaj ndarje mes tyre, vetëm kanë kritikuar dhe ofenduar njëra tjetrën.