Lukashenko anulon dënimin me vdekje të një shtetasi gjerman
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka anuluar dënimin me vdekje të një shtetasi gjerman, njoftoi zyra presidenciale.
“Shtetasi gjerman i kishte dërguar më parë presidentit një kërkesë për mëshirë”, sipas shërbimit sekret bjellorus, KGB.
Sipas autoriteteve të Minskut, 29-vjeçari ishte dënuar për terrorizëm në emër të shërbimit sekret ukrainas.
Ai ishte dënuar me vdekje në qershor, gjithashtu me akuza për mercenarizëm, por vendimi u bë publik nga organizatat e të drejtave të njeriut vetëm një muaj më vonë.
Bjellorusia është vendi i fundit në Evropë që ende zbaton dënimin me vdekje, konkretisht me një goditje në pjesën e pasme të kokës.
Televizioni shtetëror bjellorus kohët e fundit tregoi gjermanin, një ndihmësmjek, në një video, ku pranon fajin dhe kërkon mëshirë.
Zyra Federale e Jashtme në Berlin kishte dënuar dënimin me vdekje dhe njoftoi se shtetasi gjerman po merrte ndihmë konsullore. /atsh/