
Kosova humbi disa miliona të BE-së, Kurti thotë se tash me institucione të plota Plani i Rritjes do të implementohet me shpejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se hapja e negociatave është bërë urgjente në kuadër të dinamikës së re të zgjerimit të BE-së.
Në një status në X, Kurti ka njoftuar se ka marrë pjesë në Samitin e 6-të të Planit të Rritjes, të organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, dy ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Në takim, ku morën pjesë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, dhe përfaqësues të vendeve të rajonit, është diskutuar për reformat dhe integrimin në Tregun e Përbashkët të BE-së.
Kurti ka theksuar se Kosova, me stabilitet të plotë institucional, po i përmbush me ritëm të shpejtë zotimet që dalin nga Plani i Rritjes.
Ai ka përmendur edhe pesë marrëveshjet e mobilitetit të Procesit të Berlinit, të cilat Kosova i ka ratifikuar, duke theksuar se njohja e diplomave ende mbetet çështje e pazgjidhur.

Sa u përket marrëveshjeve rajonale, Kurti ka kërkuar që fondet e Bashkimit Evropian të shërbejnë si nxitje për zbatimin e tyre, në mënyrë që vendet që zbatojnë më shumë marrëveshje të përfitojnë më shumë.
Megjithatë, Kosova tashmë ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të mosrealizimit të reformave brenda afateve të përcaktuara. Këto mjete pritet t’u rishpërndahen tri vendeve të rajonit: Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. /GE

