Tevez synon t’i bashkojë Messin dhe Ronaldon në ndeshjen e lamtumirës

Tevez synon t’i bashkojë Messin dhe Ronaldon në ndeshjen e lamtumirës

Ish-sulmuesi argjentinas Carlos Tevez po synon të organizojë një spektakël të veçantë futbolli në ndeshjen e tij të lamtumirës, duke shpresuar që në të të marrin pjesë dy yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Tevez ka bërë të ditur se Messi do të jetë pjesë e kësaj ndeshjeje, ndërsa është shprehur optimist se edhe Ronaldo do t’i bashkohet festës.

Ish-futbollisti 42-vjeçar ka luajtur së bashku me Messin në Përfaqësuesen e Argjentinës, ndërsa me Ronaldon ka qenë bashkëlojtar te Manchester Unitedi.

Ndeshja e lamtumirës së Tevezit është planifikuar të zhvillohet më 20 dhjetor në stadiumin legjendar “La Bombonera” në Buenos Aires, shtëpia e Boca Juniorsit.

Një paraqitje e Ronaldos përkrah Messit do të ishte një ngjarje historike, pasi dy rivalët e mëdhenj të futbollit modern, të cilët për shumë vite kanë dominuar skenën botërore, mund të luajnë për herë të parë në të njëjtin ekip.

Messi, 39-vjeçar, dhe Ronaldo, 41-vjeçar, kanë qenë kundërshtarë të drejtpërdrejtë në shumë përballje të paharrueshme, veçanërisht gjatë kohës kur argjentinasi luante te Barcelona dhe portugezi te Real Madridi.

Përveç tyre, në këtë organizim pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të futbollit, si portieri italian Gianluigi Buffon, argjentinasi Juan Roman Riquelme dhe ish-mbrojtësi anglez Rio Ferdinand.

Tevez e nisi karrierën te Boca Juniors, ku u rikthye në vitin 2018, përpara se t’i jepte fund karrierës si futbollist në vitin 2022. /Rekordi.net

Share This