Bellingham fiton zemrat e tifozëve, gjesti i tij ndaj gazetares bëhet viral

Bellingham fiton zemrat e tifozëve, gjesti i tij ndaj gazetares bëhet viral

Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, ka marrë vlerësime të shumta në rrjetet sociale për një gjest të veçantë ndaj gazetares së BBC-së, Elizabeth Conway, pas fitores së madrilenëve ndaj PSV Eindhovenit, transmeton Rekordi.net.

Real Madridi triumfoi me rezultat 5-1 ndaj skuadrës holandeze, në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në kuadër të Ligës së Kampionëve. Me këtë fitore, skuadra spanjolle kryeson tabelën e fazës së ligës me 15 pikë, pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.

Bellingham ishte njëri nga protagonistët e takimit, duke realizuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër, pasi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë.

Pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori anglez u ndal në zonën e intervistave për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Gjatë intervistës me gazetaren e BBC-së, Elizabeth Conway, disa gazetarë të tjerë ndërhynë dhe tentuan ta merrnin fjalën, duke ia ndërprerë pyetjen e dytë.

Në atë moment, Bellingham reagoi menjëherë duke thënë: “Më falni, ajo ka edhe një pyetje”, duke i dhënë mundësinë gazetares ta përfundonte intervistën.

Ky veprim i futbollistit 23-vjeçar u prit me shumë simpati në rrjetet sociale, ku tifozët e cilësuan atë si një “zotëri” dhe një shembull të sjelljes sportive.

I pyetur nëse po kalon formën më të mirë në karrierën e tij, si me klubin ashtu edhe me Kombëtaren e Anglisë, Bellingham u përgjigj se preferon të përqendrohet te sfida e radhës.

“Mentaliteti im bazohet më shumë te përqendrimi në ndeshjen e ardhshme. Mendoj se je aq i mirë sa ndeshja jote e radhës. Ajo që ke bërë në ndeshjen e kaluar nuk ka shumë rëndësi”, deklaroi anglezi.

Real Madridi, që aktualisht ndodhet tri pikë prapa Barcelonës në La Liga, ndeshjen e radhës do ta zhvillojë kundër Alavesit, në stadiumin “Santiago Bernabeu”. /Rekordi.net

Share This