
Detaje të reja në rastin e Arlindës, për çka dyshohen ish-vjehrra dhe ish-kunati?
Pas arrestimit të katër personave të tjerë në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, në mesin e tyre ish-vjehrra dhe ish-kunati i saj, janë zbardhur detaje të reja lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në këtë rast.
Detajet janë bërë publike edhe në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ku për zhvillimet e fundit ka raportuar edhe gazetari korrespodent i Klan Kosovës, Valdrin Daci.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve, Nurije Sylaj, ish-vjehrra e Arlindës, dyshohet se ka qenë e pranishme në shtëpi, madje edhe në dhomën e gjumit, në momentin kur Albert Sylaj po e sulmonte viktimën me sëpatë.
Prokuroria pretendon se ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ndaluar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ishte në dijeni për atë që po ndodhte. Fillimisht, sipas dosjes, ajo kishte qëndruar në sallon, ndërsa më pas kishte hyrë edhe në dhomën e gjumit.
Dyshimet ndaj Nurije Sylajt nuk lidhen vetëm me praninë e saj në momentin e sulmit. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht Arlindën që nga 22 tetori, kur viktima ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare.
Në telefonin e saj, sipas dosjes, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Kjo video dyshohet se i ishte dërguar përmes WhatsApp-it nga ish-kunati i saj, Driton Sylaj.
Prokuroria dyshon se fotografitë dhe incizimet janë përdorur për të përcjellë lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, në kuadër të një koordinimi të mundshëm me personat e tjerë të përfshirë në rast.
Po ashtu, Nurije Sylaj dyshohet se pas vrasjes, në deklaratën e dhënë si dëshmitare, kishte tentuar t’i devijonte hetimet. Ajo kishte pretenduar se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, ndërsa vetë kishte qenë pa ndjenja në momentin e vrasjes. Prokuroria i referohet edhe incizimeve të kamerave të sigurisë për të mbështetur dyshimet e saj.
Ndërkohë, ish-kunati i Arlindës, Driton Sylaj, dyshohet se kishte ndihmuar në përcjelljen e saj para vrasjes, duke i dërguar ish-vjehrrës videon e realizuar në qytet.
Dy të dyshuarit e tjerë, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi, dyshohet se kanë ndihmuar Albert Sylajn pas kryerjes së vrasjes. Sipas Prokurorisë, Pepaj dyshohet se e kishte transportuar atë deri në fshatin Bec, ndërsa Bobi dyshohet se e kishte strehuar në banesën e tij në Gjakovë dhe më pas e kishte dërguar në drejtim të fshatit Maznik.
Në kuadër të hetimeve, është zgjeruar edhe dyshimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të katër të dyshuarit, duke vlerësuar se ekziston rreziku i ndikimit apo frikësimit të dëshmitarëve dhe i pengimit të procedurës penale.
Të dyshuarit kanë dalë para gjykatës, ndërsa pritet vendimi lidhur me kërkesën për paraburgim.

