
Shiroka-Pula viziton FSK-në si Komandante Supreme, Jashari i dhuron uniformën ushtarake
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar për herë të parë Forcën e Sigurisë së Kosovës në cilësinë e Komandantes Supreme, ku është pritur me ceremoni ushtarake nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë vizitës, presidentja zhvilloi një takim me komandantin Jashari, ku u informua nga afër për misionin dhe strukturën organizative të FSK-së, zhvillimin e saj, kapacitetet njerëzore, pajisjet, armatimin, infrastrukturën, operacionet dhe sfidat me të cilat përballet kjo forcë.
Në shenjë nderimi për pozitën e saj si Komandante Supreme, gjenerallejtënant Bashkim Jashari i dhuroi presidentes Shiroka-Pula uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në kuadër të vizitës, presidentja u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin diskutoi për investimet në modernizimin e FSK-së, përmbylljen e procesit të tranzicionit dhe avancimin profesional të pjesëtarëve të saj.
Shiroka-Pula vlerësoi rritjen e investimeve në sektorin e mbrojtjes dhe progresin e arritur në zhvillimin e FSK-së, duke vënë në pah rëndësinë e pajisjeve moderne, infrastrukturës së përshtatshme, trajnimeve cilësore dhe forcimit të kapaciteteve operacionale.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë kompensimin për punën jashtë orarit, shtesat për rrezikshmëri, sigurimin shëndetësor dhe respektimin e të drejtave të tyre ligjore.
Vizita përfundoi në kazermën “Adem Jashari”, ku presidentja drekuoi me pjesëtarët e FSK-së dhe bashkëbisedoi me ushtarakët e ushtaraket për përvojat, angazhimin dhe sfidat e tyre në shërbim të vendit.

