Ahmeti-Rama: Marrëveshja e Ohrit dhe bashkëpunimi rajonal në fokus të takimit

Ahmeti-Rama: Marrëveshja e Ohrit dhe bashkëpunimi rajonal në fokus të takimit

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke kërkuar angazhim më të madh të Shqipërisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zhvillimet politike në rajon.

Ahmeti bëri të ditur se gjatë takimit, ndonëse të shkurtër, janë diskutuar çështje me rëndësi për shqiptarët dhe të ardhmen politike të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se BDI-ja mbetet e gatshme për bashkëpunim dhe komunikim të hapur me Tiranën, me qëllim avancimin e proceseve politike dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Një tjetër çështje e ngritur ishte lehtësimi i lëvizjes ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ahmeti rikujtoi rëndësinë e deklaratës së Ramës për heqjen e barrierave kufitare, duke e cilësuar këtë si një hap drejt integrimit më të madh rajonal, raporton rtk.

Ndërkohë, funksionalizimi i sistemit të përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë shihet si një zhvillim konkret për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.

Takimi Ahmeti-Rama vjen në një periudhë kur çështjet e shqiptarëve në rajon, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten tema me rëndësi të veçantë politike.

Share This