
Kosovë–Kroaci, diskutohen mundësitë për zgjerimin e marrëdhënieve
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u vlerësuan raportet e mira dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, ndërsa presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zagrebit ndaj Kosovës.
Shiroka Pula theksoi se Kroacia ka qenë përkrahëse e rëndësishme e Kosovës që nga vitet e luftës, njohja e pavarësisë dhe proceset e konsolidimit të shtetësisë.
Ajo rikujtoi gjithashtu kontributin e shqiptarëve në luftën për lirinë e Kroacisë, duke e cilësuar këtë histori të përbashkët si një lidhje të veçantë miqësie ndërmjet dy popujve.
Në takim u vlerësua edhe angazhimi i ambasadores Barishiq në forcimin e raporteve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua mundësive për bashkëpunim konkret në fushën e mbrojtjes, drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe shkencës, si dhe rritjes së shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe investimeve.
Në fund, presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë që marrëdhëniet e mira politike dhe diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të përkthehen në projekte konkrete, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.

