
Haxhiu pas kthimit të Krasniqit në Kosovë: Do ta vazhdojmë betejën për drejtësi
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas kthimit të përkohshëm të Jakup Krasniqit në Kosovë, ku do të qëndrojë pranë bashkëshortes së tij, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar.
Haxhiu ka shprehur keqardhje për rrethanat në të cilat po kalon ish-kryetari i Kuvendit, duke vlerësuar kontributin e tij në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Zëri i UÇK-së gjatë luftës, Kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i saj për procesin gjyqësor dhe aktgjykimin ndaj Krasniqit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së mbetet i pandryshuar.
“Tani që çështja ndodhet në Apel, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së. Jam pranë Jakup Krasniqit, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij. Atyre u uroj forcë dhe që këto ditë, sado të vështira, t’i kalojnë bashkë e në qetësi”, ka deklaruar Haxhiu.

