
Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Policia e Kosovës ka raportuar për pesë raste të dhunës në familje në rajone të ndryshme të vendit, të cilat janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit. Në disa prej rasteve, viktimat kanë pësuar sulme fizike dhe kanë kërkuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një rast është regjistruar në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare”, thuhet në njoftimin e Policisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast është raportuar në Ranilluk, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person tjetër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Dy raste të tjera janë raportuar në Gjakovë. Në rastin e parë, të regjistruar dje në orën 21:30, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin policor, raporton rtk.
Ndërkaq, në rastin e dytë, të raportuar një burrë dyshohet se ka tentuar ta sulmojë dhe e ka kanosur një person tjetër. Policia ka bërë të ditur se nuk raportohet për të lënduar, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar.
Po ashtu, një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Skenderaj. Një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor.
Sipas Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar. Rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.

