Qumështoret kërkojnë kontrolle në furra e byrektore për përdorimin e dyshuar të yndyrës së palmës

Qumështoret kërkojnë kontrolle në furra e byrektore për përdorimin e dyshuar të yndyrës së palmës

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK) i ka bërë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të ndërmarrë kontrolle në furrat e bukës dhe byrektoret në të gjithë vendin, pas dyshimeve për përdorimin e yndyrës së palmës si zëvendësuese të gjizës së prodhuar nga qumështi.

Përmes një reagimi publik, Shoqata ka shprehur shqetësimin se konsumatorët mund të paguajnë për produkte me gjizë të mirëfilltë, ndërkohë që në përbërjen e tyre mund të përdoren yndyra bimore që nuk deklarohen në etiketim.

Sipas SHQK-së, në rastet kur yndyra e palmës apo përzierjet me yndyra të tjera bimore përdoren dhe shiten si gjizë, konsumatorët janë duke u mashtruar qëllimisht.

“Kjo nuk mund të trajtohet më si një çështje e parëndësishme. Nëse një biznes përdor me vetëdije yndyrë palme apo përzierje me yndyra bimore dhe ua shet konsumatorëve si gjizë të mirëfilltë, atëherë ky është mashtrim i qëllimshëm i konsumatorit”, thuhet në reagim.

Shoqata kërkon që AUV-ja të nisë menjëherë inspektimet dhe të realizojë analiza laboratorike për të identifikuar përbërësit që mund të zëvendësojnë gjizën pa u deklaruar. Po ashtu, kërkohet ndalimi i shitjes së produkteve ku konstatohen shkelje.

Në mesin e kërkesave janë edhe mbyllja e bizneseve dhe tërheqja e licencave apo aprovimeve, në rastet kur shkeljet janë të rënda dhe kur një gjë e tillë parashihet me ligj.

SHQK-ja kërkon gjithashtu që rezultatet e kontrolleve të bëhen publike, përfshirë edhe emrat e subjekteve ku konstatohen shkelje, në mënyrë që qytetarët të kenë informacion të qartë për produktet që konsumojnë.

Share This