
ITALI – Vetëm 11 vjeç ”protestuesi” më i ri gjatë trazirave
Sipas medieve italiane, më i riu i identifikuar është një 11-vjeçar italian, nxënës i vitit të dytë të shkollës së mesme, i cili u lokalizua në shkollën e tij në zonën Barona, në jugperëndim të qytetit.
I mituri dyshohet se të dielën ka hyrë në dyqanin ”Fusaro”, gjatë plaçkitjeve në qendër të Milanos.
Në një video të publikuar në Instagram, ai shfaqet duke dalë nga dyqani me disa rripa.
Personi tjetër i identifikuar është një 16-vjeçar nga Desio, në zonën e Brianzas, i cili ishte filmuar të shtunën me një kapelë të karabinierëve në kokë.
Ndaj 16-vjeçarit rëndojnë dyshimet për shkatërrim dhe plaçkitje, vjedhje dhe fyerje të Forcave të Armatosura.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale kanë ndihmuar në identifikimin e të miturve të përfshirë në ngjarjet që tronditën qendrën e Milanos gjatë fundjavës. /atsh/

