Sulmi me makinë, deputetja australiane humb njërën këmbë, mjekët në luftë për të shpëtuar tjetrën

Sulmi me makinë, deputetja australiane humb njërën këmbë, mjekët në luftë për të shpëtuar tjetrën

Deputetja e pavarur australiane Helen Haines rrezikon të humbasë edhe këmbën tjetër, pasi u godit dy herë nga një automjet në një sulm të dyshuar si i qëllimshëm pranë zyrës së saj elektorale në Wangaratta, në veri të shtetit të Viktorias. 65-vjeçarja u transportua me helikopter drejt spitalit Alfred në Melburn, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente mbrëmjen e së hënës (19 tetor. Mjekët po përpiqen të shpëtojnë këmbën tjetër të deputetes, e cila ndodhet në gjendje kritike.

Sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, drejtuesi i automjetit dyshohet se kreu një kthesë U përpara se të përplaste Haines. Më pas, ai dyshohet se e goditi për herë të dytë, duke e rënduar më tej gjendjen e saj. Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, tha se dëshmitarët kishin raportuar se shoferi kishte hyrë në parking pas një manovre kthimi dhe më pas kishte goditur deputeten dy herë me automjet.

Një burrë 43-vjeçar nga Tarrawingee, i identifikuar nga The Guardian Australia si Brendan Nugent, u arrestua në vendngjarje. Policia pritej ta merrte në pyetje të martën, ndërsa hetimet vijonin për të zbardhur rrethanat dhe motivin e mundshëm të sulmit. Ngjarja u ndërpre nga ndërhyrja e një kalimtari, i cili e nxori të dyshuarin nga automjeti dhe e mbajti deri në mbërritjen e policisë.

Ricky Jefferies, pronar i një berberhaneje ngjitur me zyrën elektorale të Haines, tha se kishte vrapuar drejt vendit të ngjarjes pasi dëgjoi përplasjen. Ai deklaroi se kishte ndërhyrë për të larguar shoferin nga automjeti, duke e cilësuar veprimin si të nevojshëm për sigurinë. Jefferies pretendoi gjithashtu se i dyshuari kishte pasur një thikë me vete, të cilën, sipas tij, e kishte nxjerrë nga xhepi dhe e kishte hedhur tutje, pa e përdorur. Kryeministri australian Anthony Albanese konfirmoi se autoritetet besonin se sulmi ishte i qëllimshëm. Ai shprehu mbështetjen për deputeten, duke vlerësuar përkushtimin e saj ndaj komunitetit që përfaqëson.

Ndërkohë, ministri Burke vlerësoi ndërhyrjen e kalimtarit që ndihmoi në neutralizimin e të dyshuarit, duke theksuar rëndësinë e reagimit të tij në një situatë të rrezikshme. Autoritetet australiane pritet të shqyrtojnë gjithashtu nëse mund të ishin marrë masa shtesë për të parandaluar sulmin e dyshuar dhe për të rritur sigurinë e personave të tjerë. /rtsh/

Share This