OVL-UÇK paralajmëron protesta në të gjitha qytetet e Kosovës

OVL-UÇK paralajmëron protesta në të gjitha qytetet e Kosovës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se do të organizojë protesta në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj.

Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, protestat do të mbahen në orën 17:00, ndërsa dega e Prishtinës do t’i bashkohet protestës në orën 21:00.

OVL-UÇK ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protesta, të cilat, sipas organizatës, synojnë të shprehin mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe vlerat e luftës çlirimtare.

“OVL UÇK mbështet dhe do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare, përderisa ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk cenojnë rendin kushtetues”, thuhet në njoftimin e organizatës, raporton rtk.

OVL-UÇK u ka bërë thirrje gjithashtu institucioneve komunale dhe qytetarëve që t’u bashkohen protestave.

Organizata u ka bërë thirrje edhe spektrit politik dhe institucional që, sipas saj, të veprojnë në mënyrë të bashkuar dhe të hartojnë një strategji kombëtare për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së deri në përfundimin e procesit të apelit.

Protestat vijnë pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Vendimi u shpall më 16 shtator 2026, ndërsa procesi gjyqësor vijon në fazën e ankesave.

Share This