
Presidenti Ademi nga Selaniku: FFK vazhdon të jetë aktive në familjen evropiane të futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, po qëndron në Selanik, ku po zhvillohet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, krahas aktiviteteve të organizuara për shënimin e 100-vjetorit të themelimit të Federatës greke të Futbollit.
Ademi ka bërë të ditur se në këto aktivitete po marrin pjesë drejtues dhe përfaqësues të federatave, si dhe personalitete të njohura të futbollit evropian.
Përmes një postimi, kreu i FFK-së ka ndarë edhe përshtypjet nga qëndrimi në Selanik, duke theksuar rëndësinë e takimeve me miq dhe kolegë nga UEFA.
“Kënaqësi të jem sot në Selanik, ku po mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, si dhe aktivitetet e organizuara me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Federatës Greke të Futbollit”, ka shkruar Ademi.
I pari i futbollit tonë, ka veçuar gjithashtu aktivitetet festive, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar fëmijëve dhe të ardhmes së futbollit.
“Ishte kënaqësi e veçantë të takohem me miq e kolegë nga familja e madhe e UEFA-s dhe të jem pjesë e aktiviteteve festive, ku në qendër ishin edhe fëmijët dhe e ardhmja e futbollit.”
Ademi ka theksuar se FFK-ja do të vazhdojë angazhimin e saj në kuadër të familjes evropiane të futbollit, duke synuar forcimin e bashkëpunimit me UEFA-n dhe federatat anëtare.
“FFK vazhdon të jetë e pranishme dhe aktive në familjen evropiane të futbollit, duke forcuar miqësitë, partneritetet dhe bashkëpunimin me UEFA-n dhe federatat tjera.”


