
Haxhiu: Zgjedhja e presidentit, hapi i fundit për kompletimin e institucioneve
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të procesit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar pas votimit të zhvilluar sot në Kuvend.
Ajo ka theksuar se, pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, zgjedhja e presidentit mbetet hapi i fundit për kompletimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Pres që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që ky proces të përmbyllet me sukses”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile, duke kërkuar që procesi institucional të mos shoqërohet me vonesa të tjera.

