
Vendimi për ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator, BE: Të respektohet nga të gjitha shtetet dhe palët. Vendimi mund të apelohet
Bashkimi Europian bëri të shtunën thirrje për respektimin nga të gjitha shtetet dhe palët të vendimit që Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç quhet Gjykata Speciale me seli në Hagë për krimet që pretendohet se janë kryer nga ish-anëtarët e UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të japin për katër ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
“Në prag të shpalljes së vendimit të shkallës së parë kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, i bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, shkruhet në një përgjigje që Brukseli i ka dhënë interesit të mediave në Kosovë.
Për Dhomat e Specializuara të Kosovës, BE rishprehu mbështetje, ndërsa kujtoi se ajo gjykatë ishte themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës.
Për vendimin që pritet të shpallet për katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-zyrtarët e lartë, Bashkimi Europian u shpreh se ai nuk ishte fundi i një procesi gjyqësor dhe se mund të apelohej.
Në datën 16 shtator, Gjykata Speciale pritet të japë verdiktin e saj për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza këto që ish-zyrtarët e lartë, të cilët ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, i kanë hedhur poshtë. /rtsh/

