
Tragjedi në Filipine/ Trageti përfshihet nga flakët, humbin jetën 5 persona, 87 të zhdukur
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 87 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një zjarri që përfshiu një traget në ujërat pranë ishullit Palawan në Filipine. Sipas autoriteteve, 42 persona janë shpëtuar, ndërsa vijojnë kërkimet për personat që rezultojnë të zhdukur. Trageti, i identifikuar si MV June Aster, kishte në bord gjithsej 134 persona, përfshirë 117 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit. Anija ishte nisur nga porti i Manilës dhe po udhëtonte drejt Coron, në Palawan, kur shpërtheu zjarri.
Në momentin kur u përfshi nga flakët, trageti ndodhej rreth 1.2 milje detare në verilindje të Barangay Marcilla.
Zëdhënësja e Rojës Bregdetare Filipinase, komodoria Noemie Cayabyab, konfirmoi se deri në orët e vona të së mërkurës ishin shpëtuar 42 persona. Prej tyre, 38 ishin pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Autoritetet kanë bërë të ditur se ende nuk kanë mundur të marrin dëshmi të plota nga të mbijetuarit, për shkak të gjendjes së tyre dhe vështirësive në komunikim.
Ndërkohë, shtatë nga pasagjerët e shpëtuar janë dërguar në spital në Culion, një ishull fqinj. Departamenti i Mirëqenies Sociale dhe Zhvillimit ka nisur kontaktet me pacientët dhe familjarët e tyre për të vlerësuar gjendjen shëndetësore dhe nevojat për ndihmë. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonën ku ndodhi ngjarja, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe fatin e personave që ende rezultojnë të zhdukur. /rtsh/

