
“Ky ishte futboll i vërtet”/ Seedorf i mahnitur nga spektakli në Real Madrid-Inter: Nuk mbaj mend të jem kënaqur kaq shumë që nga…
Liga e Kampionëve e nisi sezonin e ri me një përballje spektakolare mes Real Madridit dhe Interit, e cila i përmbushi plotësisht pritshmëritë.
Dueli në “Santiago Bernabéu” dhuroi emocione, ritëm dhe raste të shumta, duke u shndërruar në një nga ndeshjet më të komentuar të mbrëmjes evropiane.
Edhe José Mourinho e përkufizoi sfidën si një ndeshje të çmendur, duke theksuar se rezultati mund të kishte marrë përmasa krejtësisht të tjera.
“Ishte një ndeshje e çmendur. Mund të kishte qenë 5-0 për ne, 5-5, 6-5 apo 7-5”, u shpreh Mourinho, duke nënvizuar karakterin e hapur dhe spektakolar të përballjes.
Një tjetër figurë e njohur e futbollit evropian, Clarence Seedorf, mbeti veçanërisht i impresionuar nga ajo që pa në Madrid. Ish-mesfushori holandez e cilësoi duelin si një shembull të futbollit të nivelit më të lartë në Champions League.
“Ky ishte futboll i vërtetë i Ligës së Kampionëve. E shijova çdo moment të ndeshjes. Interi ishte i shkëlqyer”, deklaroi Seedorf.
Ai vlerësoi në veçanti organizimin taktik të skuadrës së Cristian Chivut, duke theksuar mënyrën se si zikaltërit kontrolluan topin dhe krijuan hapësira ndaj një kundërshtari të madh.
“Taktikisht, Interi është një nga ekipet më të mira që kam parë këtë sezon. Mënyra se si e mbajtën topin, e lëvizën Real Madridin dhe gjetën hapësira tregonte qartë se çfarë donin të bënin. Ata nuk shkuan në ‘Bernabéu’ të frikësuar nga Reali”, shtoi ish-lojtari.
Por komplimentet e Seedorf nuk munguan as për madrilenët. Sipas tij, Real Madridi tregoi të njëjtin nivel cilësie, duke refuzuar të binte në kurthin taktik të Interit.
“Real Madridi ishte gjithashtu i shkëlqyer, sepse e kuptoi lojën që Interi donte të luante dhe refuzoi ta luante sipas kushteve të tyre. Sa herë që Reali fitonte topin, kishe ndjesinë se diçka mund të ndodhte. Interi mund të sulmonte për dy minuta, ndërsa Real Madridit i duheshin vetëm dhjetë sekonda për të arritur në anën tjetër”, tha Seedorf.
Ish-futbollisti holandez e vlerësoi veçanërisht faktin se të dyja skuadrat nuk u mjaftuan vetëm me mbrojtjen apo kontrollin e lojës.
“Nuk ishte një ekip që sulmonte dhe tjetri që përpiqej të mbijetonte. Ishin dy ekipe të shkëlqyera që i bënë vetes pyetje krejtësisht të ndryshme gjatë gjithë natës”, u shpreh ai.
Seedorf shkoi edhe më tej në vlerësimin e tij, duke e krahasuar këtë përballje me një tjetër duel të madh të sezonit të kaluar.
“Sinqerisht, që nga ndeshja PSG-Bayern sezonin e kaluar, nuk mbaj mend të kem qenë kaq i kënaqur duke parë një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Dy ekipe shumë të forta që sulmojnë mirë, mbrohen mirë dhe përpiqen të luftojnë në mënyra krejtësisht të ndryshme. Kjo është kinema”, përfundoi ai. /tch/

