
Java nis me mot të ngrohtë, të enjten shi e bubul
Gjatë kësaj jave, në Kosovë pritet mot kryesisht i qëndrueshëm, i ngrohtë dhe me intervale të gjata me diell, sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).
Sot, temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11°C, ndërsa maksimalet nga 27 deri në 31°C. Të martën dhe të mërkurën moti do të jetë kryesisht me diell, ndërsa temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 32°C të martën dhe 33°C të mërkurën, veçanërisht në Prizren dhe Gjakovë, raporton rtk.
Ndryshimi i motit pritet të ndodhë të enjten, më 10 shtator, kur parashikohen vranësira dhe reshje shiu, lokalisht të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 27 deri në 31°C, ndërsa era mund të jetë mesatare dhe lokalisht e fortë.
Të premten, më 11 shtator, pas reshjeve pritet një mot më i freskët, me diell dhe vranësira të ndryshueshme. Temperaturat maksimale do të zbresin në 25–30°C, me rënie më të theksuar në zonat malore.
IHMK vlerëson se kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme, ndërsa temperaturat e larta gjatë ditëve të para mund të rrisin ngarkesën termike dhe nevojën për ujë te kulturat bujqësore.
Instituti ka bërë thirrje për kujdes ndaj indeksit të lartë UV, sidomos gjatë orëve 11:00–16:00, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell, mbrojtjen nga rrezatimi dhe hidratimin e mjaftueshëm.
E hënë, 7 shtator
Kosova do të ketë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të jenë 8–11°C, ndërsa maksimalet 27–31°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
E martë, 8 shtator
Moti do të jetë kryesisht i ngrohtë dhe me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8–11°C, ndërsa maksimalet nga 29–32°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare, nga drejtime të ndryshme.
E mërkurë, 9 shtator
Do të vazhdojë moti i ngrohtë, me periudha të gjata me diell. Temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 33°C, veçanërisht në Prizren dhe Gjakovë. Temperaturat minimale do të jenë 8–11°C.
E enjte, 10 shtator
Moti do të ndryshojë. Krahas intervaleve me diell dhe vranësirave, priten reshje shiu, lokalisht të shoqëruara me bubullima dhe rrufe. Temperaturat maksimale do të jenë 27–31°C. Era mund të jetë mesatare dhe lokalisht e fortë.
E premte, 11 shtator
Pas reshjeve të së enjtes, moti do të jetë më i freskët, me diell dhe vranësira të ndryshueshme. Temperaturat minimale do të jenë 10–13°C, ndërsa maksimalet 25–30°C. Rënia më e theksuar e temperaturave pritet në zonat malore.

