Gjermania akuzon Rusinë për tentativën e sulmit me dron

Gjermania akuzon Rusinë për tentativën e sulmit me dron

Gjermania e ka akuzuar Rusinë për tentativën e sulmit me dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin e Lajpcigut, ndërsa hetimet kanë çuar edhe drejt Serbisë. Dy të dyshuar me lidhje me Rusinë janë identifikuar në Gjermani, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse dy persona të arrestuar në Serbi dhe pajisjet e sekuestruara prej tyre lidhen me të njëjtin operacion.

Më 4 gusht, në zonën e sigurisë të aeroportit Leipzig/Halle u zbulua një dron i pajisur me eksploziv dhe detonator, pranë avionëve ukrainas të transportit. Sipas hetimeve gjermane, droni ishte drejtuar drejt një avioni Antonov që transportonte pajisje ushtarake, por eksplozivi nuk shpërtheu. Autoritetet gjetën gjithashtu pjesë që dyshohet se i përkisnin një droni të dytë dhe më vonë zbuluan edhe një dron të tretë me gjurmë eksplozivi. Prokuroria Federale gjermane e ka cilësuar rastin si një “sulm serioz” ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës së Gjermanisë.

Pas hetimeve disa-javore, qeveria gjermane më 1 shtator deklaroi se pas sulmit qëndronin persona që vepronin në emër të strukturave shtetërore ruse. Ministri i Brendshëm gjerman tha se përbërja e dronit, komponentët, eksplozivi dhe detonatori përputheshin me elemente të përdorura në operacione të tjera hibride ruse. Më pas u identifikuan dy të dyshuar: një shtetas bjellorus me pasaportë ruse dhe një shtetas rus me pasaportë letoneze. Njëri prej tyre dyshohet gjithashtu se ka kontakte me shërbimet ruse të inteligjencës dhe lidhje me një rast sabotimi në Poloni. Rusia i ka mohuar akuzat.

Një tjetër pistë e hetimit çon në Serbi. Më 11 qershor, autoritetet serbe ndaluan pranë kufirit me Hungarinë dy persona, një shtetas serb me shtetësi të dyfishtë serbe-ruse dhe një shtetas serb. Në automjetet e tyre u gjetën pjesë të një droni të modifikuar, pajisje për kontrollin e tij dhe dy kanaçe të mbushura me eksploziv. Të dy ndodhen në paraburgim. Sipas hetuesve gjermanë, komponentët e gjetur në Serbi kanë ngjashmëri me pajisjet e përdorura në rastin e Leipzigut, ndërsa në të dy rastet eksplozivi ishte vendosur në kanaçe metalike. Autoritetet gjermane po hetojnë gjithashtu nëse dy personat e arrestuar në Serbi kanë pasur kontakte me një person që lidhet me rastin e Leipzigut dhe që kishte udhëtuar nga Stambolli drejt Gjermanisë e më pas drejt Serbisë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova publike që dëshmojnë se personat e arrestuar në Serbi janë drejtpërdrejt përgjegjës për incidentin në Leipzig.

Hetimet po shqyrtojnë edhe një rast tjetër në Poloni, ku një nga të dyshuarit gjermanë dyshohet se ka lidhje me një zjarrvënie në një dyqan materialesh ndërtimi në vitin 2024. Ndërkohë, Gjermania dhe aleatët e saj e kanë cilësuar rastin e Leipzigut pjesë të një modeli më të gjerë të operacioneve hibride ruse në Evropë. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa të reja ndaj Moskës, ndërsa NATO-ja ka shprehur “solidaritet të plotë” me Gjermaninë. Hetimet për lidhjen e rastit me Serbinë vazhdojnë.  /rtk/

Share This