Flakêt përhapen në disa zona të Fierit, evakuohen banorë

Flakêt përhapen në disa zona të Fierit, evakuohen banorë

Vatrat e zjarrit në zonën e Vadhizës në Fier, vijojnë të jenë aktive duke përfshirë sipërfaqe me ullishte, pyje me pisha dhe disa banesa.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, janë përhapur me shpejtësi nga Vadhiza në drejtim të Levanit dhe më tej drejt zonës së Peshtanit të Vogël.

Sipas medieve, nga zjarri janë dëmtuar disa banesa, një magazinë që merret me prodhimin e koshereve të bletëve, si dhe një subjekt biznesi. Në zonën e Qafës së Koshovicës, flakët janë afruar pranë disa lokaleve, ndërsa një banesë e pabanuar është përfshirë nga zjarri.

Për përballimin e situatës, në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse nga Fieri, Mallakastra, Lushnja, Vlora dhe Berati, së bashku me strukturat e Policisë së Shtetit dhe shërbimet e emergjencave.

Ndërhyrja është realizuar edhe nga ajri, me dy helikopterë, të cilët kanë operuar mbi vatrat më problematike, ndërsa forcat në tokë vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Zjarri ka përfshirë edhe segmentin e rrugës nacionale Fier–Levan, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut për drejtuesit e automjeteve.

Për shkak të afrimit të flakëve pranë zonave të banuara, rreth 15 familje janë evakuuar nga banesat e tyre. Forcat e Policisë vijojnë monitorimin e zonave të rrezikuara dhe asistimin e banorëve.

Situata mbetet e vështirë për shkak të erës, ndërsa krijimi i vatrave të reja dhe përhapja e shpejtë e flakëve po e vështirësojnë ndërhyrjen e ekipeve në terren.

Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon, me forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave të angazhuara për vënien nën kontroll të situatës dhe mbrojtjen e banesave dhe pasurisë së banorëve. /atsh/

Share This