
Zjarret në Himarë, kryebashkiaku me mesazh banorëve: Largohuni nga shtëpitë
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u ka bërë një thirrje urgjente banorëve që të largohen “nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën”, për shkak të zjarrit të rënë mbrëmjen e së premtes.
“Ju lutemi, kërkoni ndihmën e organeve të policisë se rendit, policisë bashkiake, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore në çdo kohë”, thuhet në postimin e Tavos, raporton A2Cnn.
Situata nga zjarri në Himarë vijon të përkeqësohet, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi në zonë. Deri më tani raportohet se janë djegur dy banesa, ndërsa rrezikohen edhe rreth 40 të tjera.
Forcat zjarrfikëse vijojnë luftën me flakët në terren, ndërsa situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit, shkruan Euronews.al.
Ndërkohë, banorët kanë ngritur alarmin dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga ajri, pasi flakët po afrohen drejt banesave të tjera.

