
Kryeterroristi Milan Radoiçiq bëhet pronar i pesë parcelave në Novi Pazar
Kryeterroristi Milan Radoiçiq nuk është shfaqur në publik që prej tre vitesh, kur mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në atë kohë, Radoiçiq u tërhoq nga kompania “Inkop”, si dhe nga katër ndërmarrje të tjera, ndërsa më vonë hoqi dorë edhe nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme në Dedinje, të cilat ia kaloi bashkëshortes së tij, Emës. Siç zbulon ‘Nova.rs’, Radoiçiq së fundmi është bërë pronar i pesë parcelave në Novi Pazar, me sipërfaqe prej afro katër hektarësh, ndërsa njërën e ndan me Sinisha Nedelkoviqin, ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione.
Sipas ‘Nova.rs’ Milan Radoiçiq formalisht nuk figuron më në biznes, në politikë, madje as në futboll. Po ashtu, formalisht nuk ka pasur përparim as në hetimin që zhvillohet kundër tij për rastin e Banjskës, megjithëse ai e ka pranuar përgjegjësinë.
“Megjithatë, pas një kohe të gjatë, emri i tij është regjistruar diku. Siç mund të shihet në Kadastër, Radoiçiq është bërë pronar i pesë parcelave me sipërfaqe të përgjithshme prej 37.319 metrash katrorë në Novi Pazar, në Komunën Kadastrale Kashal. Pronësinë mbi njërën nga parcelat ai e ndan me Sinisha Nedeljkoviqin nga Zveçani, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione për shkak të lidhjeve me Zvonko Veselinoviqin, ish-partner biznesi i Milan Radoiçiqit dhe një biznesmen po ashtu kontrovers”, shkruan Nova.rs.
Siç kishte raportuar Radio Evropa e Lirë në korrik të vitit 2022, Prokuroria në Mitrovicë kishte bërë të ditur se ndaj Nedeljkoviqit ekziston një rast aktiv, përkatësisht se ai dyshohet për tentim-vrasje, prodhim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Në dokumentin e Departamentit Amerikan të Thesarit, Nedelkoviqi lidhet me shtatë subjekte ekonomike, prej të cilave dy janë të regjistruara në sistemin serb dhe pesë në atë të Kosovës, raportoi KoSSev. Disa prej tyre janë gjithashtu nën sanksione amerikane, si kompania “Marko Metal Comerc”.
Ai dikur kishte mohuar çdo lidhje me Zvonko Veselinoviqin. “Nuk kam asnjë lidhje me ta dhe nuk kam punuar kurrë me ta. Njihemi prej 20 vitesh dhe nuk mund të them se nuk i njoh, por sa i përket lidhjeve, është njësoj sikur mes meje dhe jush”, kishte deklaruar Nedeljkoviqi për portalin KoSSev.
Megjithatë, një lidhje e qartë me Milan Radoiçiqin ekziston. Përveç kësaj parcele të përbashkët, edhe Radoiçiq ndodhet nën sanksione amerikane.
Po ashtu, në fillim të gushtit u ngrit aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave, ndër të cilët edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe.
Derisa në aktakuzën e autoriteteve të Kosovës ai përmendet si udhëheqës i grupit terrorist për sulmin në Banjskë, në Serbi kundër tij vazhdon ende formalisht hetimi për të njëjtin rast. Kështu deklaroi për Nova.rs avokati i tij, Goran Petronijeviq.
“Ky rast është ende në fazën e hetimeve. Në disa raste janë kërkuar dokumente nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i në lidhje me këtë çështje”, tha Petronijeviq.
Sipas Nova.rs përveç parcelave në Novi Pazar, Milan Radoiçiq nuk ka më asnjë pasuri të paluajtshme në emrin e tij. Dy vjet më parë, së bashku me bashkëshorten Ema, ai ishte pronar i dy objekteve dhe një parcele në Dedinje, në Bulevardin e Knez Aleksandar Karaxhorxheviqit. Në afërsi të me të vila kanë edhe Zvonko Veselinoviqi dhe Nikola Petroviqi, kumbar i presidentit të Serbisë.
Ndërkohë, e gjithë pronësia mbi atë kompleks është transferuar te bashkëshortja e Radoiçiqit, Ema. Më herët, sipas Nova.rs ishte kërkuar leje ndërtimi për një vilë me sipërfaqe mbi tokë prej 994,5 metrash katrorë, si dhe ishte paraparë ndërtimi i një pishine. Më pas janë kërkuar ndryshime në projekt. Versioni i fundit parashikon ndërtimin e një objekti luksoz me sipërfaqe mbi tokë prej 1.569 metrash katrorë. /rtk/

