
Trump kritikon Britaninë për qëndrimin ndaj Iranit: Nuk na ndihmuat! Nëse Teherani do kishte armë bërthamore, do ta përdorte në Evropë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me kërcënimin e mundshëm bërthamor nga Irani, duke pretenduar se nëse Teherani do të zotëronte një armë të tillë, ka më shumë gjasa ta përdorte atë kundër Evropës sesa Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë të dhënë për rrjetin britanik GB News, Trump tha se ndërhyrja ushtarake e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit kishte shmangur, sipas tij, një kërcënim serioz për Britaninë e Madhe.
“Po e shpëtoj edhe vendin tuaj nga kërcënimi. Sepse nëse Irani do të kishte një armë bërthamore, do të kishte më shumë gjasa ta përdorte atë në Evropë sesa kundër Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Trump.
Gjatë intervistës, presidenti amerikan nuk i kurseu kritikat ndaj Britanisë për qëndrimin e saj gjatë konfliktit me Iranin. Trump theksoi rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit për furnizimin me naftë dhe u ankua se Britania nuk kishte qenë në krah të SHBA-së.
“Mos harroni, shumica e naftës suaj vjen përmes Ngushticës së Hormuzit dhe ju nuk ishit atje për të më ndihmuar”, tha ai. Më tej, Trump la të kuptohej se mbështetja amerikane për Britaninë në çështje të tjera mund të vihej në diskutim, duke përmendur edhe Ishujt Falkland. /rtsh/

