
Edin Dzeko i jep fund karrierës me Kombëtaren e Bosnjë dhe Hercegovinës
Një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Bosnjë dhe Hercegovinës, Edin Dzeko, ka njoftuar se do t’i japë fund karrierës së tij me Kombëtaren.
Sulmuesi 40-vjeçar ka bërë të ditur se ndeshja e Ligës së Kombeve kundër Suedisë, më 2 tetor, do të jetë paraqitja e tij e fundit me fanellën e përfaqësueses boshnjake.
Dzeko do ta mbyllë një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare si futbollisti me më së shumti paraqitje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Bosnjë dhe Hercegovinës. Ai ka zhvilluar 151 ndeshje dhe ka realizuar 73 gola që nga debutimi i tij në vitin 2007.
Kapiteni legjendar ishte një nga figurat kryesore që e udhëhoqi Bosnjë dhe Hercegovinën drejt pjesëmarrjes së parë historike në Kupën e Botës në vitin 2014, ndërsa së fundmi e udhëhoqi kombëtaren edhe në Botërorin e vitit 2026.
Në mesazhin e tij emocionues, Džeko theksoi krenarinë e madhe që ka ndier çdo herë kur ka veshur fanellën e vendit të tij, duke e konsideruar përfaqësimin e Bosnjë dhe Hercegovinës si një nga privilegjet më të mëdha të karrierës së tij.
Ndeshja ndaj Suedisë më 2 tetor pritet të jetë një mbrëmje e veçantë dhe emocionuese për futbollin boshnjak, ku një epokë e tërë do të marrë fund me lamtumirën e njërit prej emrave më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë Kombëtarja e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Dzeko e mbyll karrierën ndërkombëtare me 73 gola në 151 paraqitje, ndërsa ndeshja kundër Suedisë pritet të jetë e 152-ta dhe e fundit për të.

