
Deputeti i PDK-së bën thirrje për koalicion me VV-në
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar nga drejtuesit e të dyja partive që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një marrëveshje për formimin e institucioneve. Ka shtuar se koalicionet e mëdha janë domosdoshmëri shtetërore.
Mustafa, përmes një mesazhi të gjatë drejtuar kolegëve dhe liderëve politikë, ka thënë se Kosova nuk ka më kohë për përplasje politike, ndërsa ka shprehur shqetësimin për faktin se Kuvendi dhe Qeveria ende nuk janë funksionale, raporton rtk.
“Sot kemi nevojë për një koalicion po aq të madh, tani para nesh kemi dy forcat më të mëdha politike: Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës. E di që mes nesh janë thënë fjalë të ashpra. E di që ka mosbesim. E di që zemrat janë djegur nga retorika e luftës politike. Por më lejoni t’ju them jotokësisht diçka: Kosova nuk është pronë e asnjë partie. Kosova është shtëpia e të gjithëve. Unë nuk po ju kërkoj të harroni të kaluarën. Unë po ju kërkoj të mos lejoni që e kaluara t’ju mbajë peng të ardhmes. Ne nuk kemi kohë për inate, nuk kemi kohë për hakmarrje dhe as për “nëse” apo “por”. Sepse jashtë kufijve, qytetarët tanë nuk i pyesin nëse janë me PDK-në apo me LVV-në; ata thjesht thonë se janë nga Kosova.Të nderuar kryetarë të PDK-së dhe të LVV-së, ju ftoj të uleni në një tryezë. Jo si kundërshtarë, jo si rivalë, por si burra shteti që kanë për detyrë t’ua lënë fëmijëve tanë një Kosovë më të mirë. Le t’i lëmë mënjanë egot. Le t’i lëmë mënjanë fjalët e ndezura të së kaluarës. Le të flasim për rrugët, për shkollat, për spitalet dhe për mirëqenien e qytetarëve tanë“, ka shkruar Mustafa në Facebook.

