
Tërmeti në Kolumbi/ Rritet bilanci i viktimave, shpallet gjendja e jashtëzakonshme
Rritet numri i viktimave nga tërmeti që shkundi Kolumbinë, ndërsa të paktën 132 persona kanë humbur jetën dhe mbi 480 të tjerë janë plagosur. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet për persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
Tërmeti me magnitudë 7.4 ballë goditi vendin, në një thellësi prej rreth 103 kilometrash, në provincën Chocó, sipas Shërbimit Gjeologjik të Kolumbisë. Lëkundjet e fuqishme u ndjenë në një zonë të gjerë, duke prekur qindra kilometra në perëndim të vendit. Dëmet më të mëdha janë raportuar në qytetin e Pereiras, në rajonin e njohur për kultivimin e kafesë, si dhe në qytete të tjera përreth dhe në rajonin Valle del Cauca. Epiqendra ndodhej pranë fshatit San José del Palmar, në provincën Chocó. Pavarësisht dëmeve të konsiderueshme në rrugët hyrëse dhe dalëse, kryebashkiaku lokal León Fabio Marín Moncada deklaroi se në zonë nuk kishte pasur viktima apo të plagosur.
Në Pereira, rreth 55 kilometra nga epiqendra, janë raportuar disa prej dëmeve më të rënda. Sipas autoriteteve lokale, të paktën 40 persona kanë humbur jetën në zonën metropolitane, ndërsa 65 ndërtesa janë shembur. Dyshohet se persona të tjerë ndodhen ende nën rrënoja në 15 prej këtyre ndërtesave.
Pamjet e verifikuara tregojnë momentin kur të paktën një ndërtesë shembet në Plaza Bolívar, sheshin kryesor të qytetit, duke shkaktuar panik dhe duke mbushur zonën me mbetje dhe pluhur. Autoritetet kanë vendosur gjithashtu një shtetrrethim në disa pjesë të Pereiras, i cili do të jetë në fuqi deri në orën 05:00 të së martës.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Cali, rreth 160 kilometra në jug të Pereiras, ku janë shembur 32 ndërtesa. Raporte për viktima dhe dëme kanë mbërritur gjithashtu nga Manizales, Quibdó dhe Medellín, si dhe nga rajonet Chocó dhe Valle del Cauca. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet në orët në vijim, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të prekura. /rtsh/

