Netanyahu dhe Trump riafirmojnë angazhimin ndaj një Irani jo-bërthamor gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë

Netanyahu dhe Trump riafirmojnë angazhimin ndaj një Irani jo-bërthamor gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua të martën në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Donald Trump, në bisedimet e para ballë për ballë që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin.

Takimi, i cili zgjati rreth 90 minuta dhe u mbajt me dyer të mbyllura për median, kishte në fokus koordinimin e qëndrimeve për sigurinë e Izraelit dhe përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Netanyahu e përshkroi takimin si një nga më të mirët që ka pasur me një president amerikan.

Në një video të postuar në Instagram, ai tha se “Ishte një bisedë me partneritet të plotë, me mbështetje të ndërsjellë dhe me një mirëkuptim të qëllimit të përbashkët për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore. Një nga bisedat më të mira që kam pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, mikun tonë Donald Trump.”

Netanyahu shtoi se në takim ishte i pranishëm “i gjithë ekipi i lartë” i Trump, si dhe ekipi i tij politik nga Izraeli, duke e cilësuar si një mundësi për të shkëmbyer ide dhe për të koordinuar marrëveshje të rëndësishme për sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi në rrjetin X se Trump kishte përfunduar takimet me Netanyahun dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke i cilësuar ato si “pozitive dhe produktive”.

Vizita e Netanyahut në Washington përfshiu edhe pjesëmarrjen në një darkë private përkujtimore në nder të senatorit të ndjerë Lindsey Graham, si dhe në shërbimin përkujtimor të së martës.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahut kishin kaluar një periudhë tensioni në prill, gjatë negociatave për armëpushimin me Iranin, kur Trump e përshkroi kryeministrin izraelit si një “djalë shumë të vështirë”. Netanyahu i minimizoi këto polemika duke i cilësuar si “mosmarrëveshje taktike” të lidhura me qëllimet e luftës.

Në takimin e së martës, udhëheqësit pritej të diskutonin edhe zbatimin e marrëveshjes së kornizës së sponsorizuar nga SHBA mes Izraelit dhe Libanit, e nënshkruar muajin e kaluar, por e vështirë për t’u zbatuar në terren.

Një tjetër temë ishte Gaza, ku përpjekjet diplomatike për rindërtimin e territorit të shkatërruar palestinez kanë ngecur.

Gati tre vjet pas shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, situata humanitare në Gaza mbetet e rëndë, ndërsa ushtria izraelite vazhdon të shënjestrojë persona që i cilëson si militantë.

Sipas medias ndërkombëtare , ky takim riafirmoi angazhimin e dy udhëheqësve për një Iran jo-bërthamor dhe për forcimin e partneritetit strategjik mes SHBA-së dhe Izraelit, në një kohë kur të dy përballen me sfida të mëdha politike dhe zgjedhore. /rtsh/

Share This