
A është dorëzuar Reali në garë për Olise?
Real Madridi ka vendosur të mos bëjë përpjekje për transferimin e Michael Olises gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit afatgjatë për anësorin e Bayern Munichut, raportojnë mediet e huaja, shkruan Rekordi.net.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi spanjoll ka njoftuar drejtuesit e Bayernit se nuk do të tentojë të prishë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy klubeve, veçanërisht pasi kampioni gjerman e konsideron reprezentuesin francez si një lojtar të paprekshëm.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është një admirues i madh i Olises dhe do të dëshironte ta shihte atë në “Santiago Bernabeu” një ditë. Megjithatë, madrilenët do të ndërhyjnë vetëm nëse Bayern Munich hap derën për negociata dhe sinjalizon gatishmërinë për ta shitur futbollistin.
Për momentin, “Los Blancos” kanë kthyer vëmendjen e plotë te transferimi i Yan Diomandes nga RB Leipzig, me negociatat për anësorin që thuhet se po ecin në drejtim pozitiv.
Edhe pse një marrëveshje për Olisen nuk pritet këtë verë, Real Madridi nuk e ka braktisur interesimin për 24-vjeçarin. Klubi spanjoll do të vazhdojë ta monitorojë situatën e tij dhe mund të rikthehet në garë nëse Bayerni ndryshon qëndrim në të ardhmen. /Rekordi.net

