Hoti: Kosova po humb mundësi strategjike me SHBA-në, ndërsa Serbia po avancon partneritetin

Hoti: Kosova po humb mundësi strategjike me SHBA-në, ndërsa Serbia po avancon partneritetin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me zhvillimet në raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur shqetësimin për pezullimin e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi publik, Hoti ka theksuar se, ndërkohë që dialogu strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së mbetet i pezulluar, Serbia pritet të zhvillojë të premten raundin e parë të dialogut strategjik me Uashingtonin.

Sipas tij, Kosova ka humbur edhe një mundësi të rëndësishme në fushën e energjisë, duke refuzuar përfshirjen në rrjetin rajonal të gazit, projekt që synon shpërndarjen e gazit amerikan dhe uljen e varësisë së vendeve të rajonit nga gazi rus.

Hoti ka shtuar se Serbia, ndërkohë, ka avancuar në bashkëpunimin energjetik me SHBA-në, duke lidhur marrëveshje të rëndësishme kontraktuale, përfshirë edhe importin e gazit amerikan.

Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj qasjeje mund të ketë pasoja për Kosovën në planin ekonomik dhe politik.

“Nëse vazhdon kjo qasje, Kosova mbetet e izoluar ekonomikisht dhe politikisht, duke humbur mundësinë për forcimin e partneritetit strategjik dhe të sigurisë energjetike”, ka shkruar Hoti.

Deklaratat e deputetit të LDK-së vijnë në një kohë kur raportet ndërmjet Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe çështjet e sigurisë energjetike në rajon, vazhdojnë të jenë në fokus të debatit publik.

Share This