
Shpërthimet tronditin Damaskun gjatë vizitës së Macron në Siri
Shpërthime të fuqishme tronditën Damaskun të martën, ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po zhvillonte një takim me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, në një vizitë historike në Siri.
Macron kishte hyrë në pallatin presidencial për t’u takuar me al-Sharaan kur ndodhën shpërthimet pranë hotelit Four Seasons. Autoritetet siriane nuk dhanë menjëherë një koment mbi incidentin.
Mediat siriane raportuan se Macron ishte akomoduar në hotelin Four Seasons.
Duke cituar një zyrtar të sigurisë që nuk u identifikua, media shtetërore siriane raportoi se dy shpërthimet në qendër të kryeqytetit u shkaktuan nga mjete shpërthyese. Nga vendngjarja u pa të ngrihej një re e madhe tymi.
Pamje që qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale tregonin një automjet të përfshirë nga flakët dhe njolla gjaku në rrugë.
Numri i viktimave dhe të plagosurve nuk ishte ende i qartë. Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.
Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pasi një mjet shpërthyes u aktivizua në një kafene pranë Pallatit të Drejtësisë në Damask, duke vrarë të paktën 10 persona dhe duke plagosur 20 të tjerë. /rtsh/

