Mbappe shpërthen pas sulmeve raciste: S’do të lejoj që urrejtja të përhapet

Mbappe shpërthen pas sulmeve raciste: S’do të lejoj që urrejtja të përhapet

Sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe, ka reaguar ashpër pas komenteve raciste të bëra nga senatorja paraguajane Celeste Amarilla, pas eliminimit të Paraguait nga Kupa e Botës 2026.

Franca siguroi kualifikimin në çerekfinale falë fitores minimale 1-0 ndaj Paraguait, me golin vendimtar të Mbappes nga pika e bardhë. Pas ndeshjes, Amarilla publikoi në rrjetin social X një mesazh me përmbajtje raciste dhe fyese ndaj kapitenit francez.

Në reagimin e tij, Mbappe e cilësoi senatoren si një person të padenjë për detyrën që mban dhe theksoi se ajo nuk përfaqëson popullin e Paraguait, i cili, sipas tij, tregoi pasion dhe dinjitet gjatë gjithë turneut.

Në reagimin e tij, Mbappe e dënoi ashpër gjuhën e përdorur nga senatorja.

“Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e neveritshme dhe e padenjë për postin që mbani. Ju nuk përfaqësoni Paraguain, një vend që tregoi pasion dhe nder gjatë gjithë këtij Botërori.”

Sulmuesi francez shtoi se deklaratat e saj kanë dëmtuar imazhin e vendit dhe kanë lënë në hije paraqitjet e futbollistëve paraguajanë.

“Për shkak të papërgjegjshmërisë dhe racizmit tuaj të hapur, e gjithë bota tashmë ka harruar rrugëtimin historik të lojtarëve të Paraguait në këtë Kupë Bote, duke i lënë vend një gruaje të paaftë që i jep vendit të saj imazhin më të keq të mundshëm.”

Mbappe e mbylli reagimin me një mesazh të fortë kundër racizmit.

“Nuk do t’i lejoj kurrë njerëz si ajo të kenë lirinë të përhapin urrejtje dhe racizëm në mbarë botën”, tha Mbappe.

Ndërkohë, Federata Franceze e Futbollit (FFF) njoftoi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj senatores paraguajane, duke i cilësuar komentet e saj si “krejtësisht të neveritshme dhe të papranueshme”.

FFF bëri të ditur se rasti do t’i referohet prokurorisë për procedura ligjore, duke theksuar se deklarata të tilla janë të dënueshme dhe cenojnë jo vetëm lojtarët e kombëtares franceze, por edhe vetë Francën.

Share This