
Rritet bilanci i viktimave në Venezuelë, shpresat për të mbijetuar zbehen
Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor ka arritur në të paktën 3 mijë persona. Mbi 16 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa mijëra familje janë ende pa strehë.
Ekipet vendase dhe ndërkombëtare të shpëtimit vazhdojnë punën mes rrënojave, por shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen me kalimin e orëve.
Autoritetet kanë bërë me dije se mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur dhe bilanci pritet të rritet në ditët në vijim. Në zonat më të goditura po shtohen shqetësimet edhe për mungesën e ujit të pijshëm, shërbimeve shëndetësore dhe rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.
Organizatat humanitare kanë ngritur spitale të përkohshme dhe po shpërndajnë ndihma për banorët që kanë humbur gjithçka. Disa ekipe ndërkombëtare kanë nisur të mbyllin operacionet e kërkim-shpëtimit, duke ia lënë vendin fazës së rimëkëmbjes dhe vlerësimit të dëmeve.
Banorët e zonave të prekura kërkojnë më shumë mbështetje dhe mjete e karburant për të përshpejtuar kërkimet, ndërsa shumë familje vazhdojnë të presin lajme për të afërmit e tyre. Sipas vlerësimeve paraprake, dëmet materiale janë shumë të mëdha dhe rindërtimi i zonave të goditura pritet të zgjasë me vite.
Fatkeqësia konsiderohet ndër më të rëndat që ka goditur Venezuelën në dekadat e fundit dhe ka nxitur një mobilizim të gjerë ndërkombëtar për ndihmë humanitare. /rtsh/

